Kokainë dhe heroinë drejt Greqisë, kapen në doganën e Kapshticës dy shtetas nga Elbasani

Dy persona janë arrestuar nga policia në doganën e Kapshticës pasi tentuan të trafikonin drejt Greqisë 1.1 kg heroinë dhe 750 gr kokainë.

4 pakot me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë iu gjetën të fshehura në trup dhe në çantë pasagjerit.

"Falë shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me strukturat e DVP Korçë, shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion tip "Man", me drejtues shtetasin D. T. dhe pasagjer shtetasin M. K.

Nga kontrollet e imtësishme në kamion dhe ndaj këtyre shtetasve, u gjetën 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe heroinë (rreth 1.1 kg heroinë dhe 750 gr kokainë), të cilat i kishte fshehur në trup, pasagjeri në këtë automjet, shtetasi M. K," njoftoi policia.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit Dorjan Totoshi, 36 vjeç dhe Mariglen Kristo, 29 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, sasitë e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.