Rama: "Aktivisti", platformë që ofron informacion në kohë reale, përdoreni e shpërndajeni informacion

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Elbasani se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të ekonomisë.

“Po dalim në një tjetër shkallë, në harkun e këtij viti që ka nisur tani dhe që përfundon si sot një vit, dhe që ka nisur tani me një rritje rrogash historike. Ne do të arrijmë ta çojmë pagën mesatare në 900 euro në sektorin publik dhe të jeni të sigurt që sektori privat që ka filluar t’i rrisë pagat, do të vazhdojë t’i rrisë dhe nëse të ardhurat për frymë ne i kemi dyfishuar, e kemi gjetur me 3300 euro, jemi sot në 6400”, tha Rama.

“Jemi në ngjitje dhe pa diskutim edhe me ndihmën e Zotit, edhe me pak fat kur i thonë, nëse do të kemi dhe ato zhvillimet fantastike që po presim ditë pas dite me zbulimet e reja të naftës dhe të gazit do të jemi në një tjetër rrugë, në një tjetër nivel me të tjera sfida dhe do mund të bëjmë shumë më tepër. Kështu që, nëse këto 4 vjet Gledi ka pasur mundësi të bëjë sa ka bërë, do të ketë 4 herë më shumë mundësi me besimin që ju do t’i jepni”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se “Aktivisti”’ është një platformë ku të gjithë mund të marrin informacion në kohë reale për ato që bën qeveria.

“Këtu ka një aplikacion që quhet ‘’Aktivisti’’. Hapeni, kush e ka ta hapi, kush nuk e ka ta instalojë "Aktivistin’’ tani dhe ju them juve dhe i them të gjithëve: ‘’Aktivisti’’ është një platformë ku të gjithë mund të marrin informacion në kohë reale për ato që bëjmë ne. Informacion që nuk e gjeni në asnjë media. Informacion që e gjeni të shtrembëruar dhe të sakatuar tek-tuk nëpër media të ndryshme. Informacion që i thotë të gjithë atyre që besojnë te Partia Socialiste se çfarë jemi duke bërë në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha bashkitë. Merreni ‘’Aktivistin’’, përdoreni dhe shpërndajeni informacionin që gjeni aty te të tjerët përmes rrjeteve sociale në mënyrë që sa më shumë njerëz të shohin faktet. Sa më shumë njerëz të shohin punën, sa më shumë njerëz të shohin planet, të shohin perspektivën dhe sa më shumë njerëz të kuptojnë që unë nuk jam në këtë rrugëtim pse jam i majtë kundër të djathtit apo për t’i ndarë njerëzit ca të majtë ca të djathtë apo për t’i parë punët si të majtë e të djathtë. Nuk ka”, tha ai.