Rruga e varrezave i kërcënon. Banorët e Ungrejt i përcjellin të vdekurit në terren të vështirë: Rrezikojmë jetën
Banorë të tre fshatrave në Ungrej të Lezhës i përcjellin të vdekurit në banesën e fundit duke përshkuar një terren të vështirë malor. Rruga në shumë raste u ka rrezikuar jetën ndaj bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente.
Rrugëtimi i fundit duket se është edhe më i vështiri.
Këtë terren të ashpër malor përshkon arkmorti i atyre që ndërrojnë jetë në fshatrat Rrasi, Zimaj dhe Mllezaj në Ungrej të Lezhës.
Përcjellja e të afërmve në banesën e fundit është sfidë e banorëve të këtyre zonave prej gati 30 vitesh.
“Para tri ditësh kemi pasur një rast vdekjeje dhe shyqyr nga njëra anë që i vdekuri nuk rri me të gjallët”, thotë një banor.
Rruga e varrezave është më pak se dy kilometra, por askush nuk është kujtuar të investojë.
“Kjo rrugë është problematike gjithmonë, por përerë e më shumë ka ardhur duke u prishur”, thekson një prej banorëve.
“Kjo rrugë është problematikë e dy fshtrave, edhe e jona edhe Dhimajve”, thotë banori tjetër.
Nëse nuk tregojnë kujdes mund të rrezikojnë jetën.
“Është aq e vështirë sa po atë ditë që vjen për të varrosur dikë, mund të të vdes banori tjetër duke e sjellë deri këtu. Ndihmojmë njëri-tjetrin duke u mbajtur 30 apo 50 veta duke mbajtur njëri-tjetrin deri te kisha poshtë”, thotë banori.
Makina është e pamundur të shkel në këtë terren ndaj materialet që nevojiten i transportojnë me kafshë.
“Për të rregulluar ndonjë varr apo ndonjë gjë tjetër, materialet i kemi marrë me gomar”, thotë njëri prej banorëve.
“Në krah i mbajmë, si në kohën e Lahutës”, thotë banori tjetër.
Rruga nisi të ndërtohej dy vite më parë por ka mbetur përgjysmë. Banorët bëjnë thirrje për transparencë.
“Dua të di kush e ka marrë këtë fond, pra ku ka shkuar ky fond”, thotë banori.
Në dijeni të hallit të tyre janë edhe përfaqësuesit vendorë por zgjidhje nuk u kanë ofruar. Nëse nuk rinisin punimet për ndërtimin e rrugës së varrezave banorët e Njësisë Administrative Ungrej paralajmërojnë protesta.




