Mediu pret kryemisioneren e ODIHR-it: Paraqita problematikat e shumta të procesit zgjedhor
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu priti sot shefen e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit, Audrey Glover. Gjatë takimit, sipas Mediut, u përcollën problematikat e shumta që po hasen në zgjedhje.
Mediu tha se e vuri theksin tek dështimi i reformës zgjedhore, përdorimi i administratës në zgjedhje, kontrolli i medieve si dhe rritja e numrit të punonjësve në administratë.
“Për shkak të mungesës së vullnetit politik është ndërprerë dhe ka dështuar reforma zgjedhore përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit, ndonëse nga shumë faktorë politikë dhe civilë janë propozuar në kohë për diskutim dhe vendimmarrje drafte me rëndësi.
Njësimi i Partisë Socialiste me shtetin dhe përdorimi i shtetit dhe administratës publike për zgjedhje është flagrant duke ushtruar presion për të votuar mazhorancën, shoqëruar me tërheqjen e kartave të identitetit apo blerjen e votës”, u shpreh Mediu.
“Përdorimi i aplikacionit Aktivisti është po ashtu në shkelje të ligjit si vazhdim i praktikës së “patronazhistit” denoncuar tashmë nga OSBE/ODHIR në zgjedhjet fundit.
Përdorimi abuziv i fondeve të buxhetit për fushatë elektorale për ngritje pagash apo pensionesh për qëllime elektorale sikundër edhe zhvendosja e votuesve në qendra të ndryshme përpara zgjedhjeve duke krijuar konfuzion.
Kontrolli mbi mediet dhe hapësirat publike për propagandimin e fushatës ku çdo hapësire private publike është bllokuar nga pushteti.
Rritja gati dyfish e numrit të punonjësve në mënyrë abuzive në bashki dhe institucionet shtetërore për fushatë elektorale.
Pengimi me urdhër nga ministritë përkatëse i pedagogëve dhe arsimtarëve për të kandiduar për këshillat bashkiakë në shkelje të kushtetutës”, renditi Mediu.
Po ashtu, Mediu i kërkoi ambasadores Glover prezencë sa më të madhe të vëzhguesve në monitorim dhe përqendrim sa më të madh në zonat zgjedhore më problematike si Elbasani, Durrësi, Tirana, Shkodra etj.







