Kandidat për kryetar të Akademisë së Shkencave, Fuga: Pak rëndësi ka fitoj apo nuk fitoj

Akademiku Artan Fuga do të kandidojë për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave.

I ftuar në "Ora e Betit" ai tha se nëse realizohen ndryshimet e propozuara nga dy deputetë të PS në ligj nuk ka asnjë shans porse për të është më i rëndësishëm hapja e një debati për mënyrën e funksionimit të Akademisë.

Fuga: Unë kam bërë dhe bëj thirrje që edhe kolegë të tjerë të kandidojnë.Në gjykimin tim pak rëndësi ka fitoj apo nuk fitoj, i kam shpallur tre objektivat e mia. Akademikët brenda Asamblesë të hapin një diskutim për mënyrën e funksionimit të Akademisë.  Unë jam për një konceptim tjetër të shkencës. Në rast se ligji ndryshohet që kryetari dhe nënkryetari i sotëm kanë mundësi përsëri të kandidojnë padyshim që nuk ka asnjeri që mund të dalë dot. Deri tani shenjat janë që Gjinushi është i motivuar. Kryesia e Akademisë ka dalë me deklaratë kundër meje.

Ai shtoi se ka akademikë që janë pranuar pa plotësuar kërkesat ligjore.

Fuga: Ka akademikë që menaxhojnë financime të mëdha. Me emra nuk flas dot. Bëni një investigim dhe gjeni kush ka hyrë pa plotësuar kriteret ligjore. Unë i di por nuk jam unë që duhet ti them. Ky është një lloj nderi. Një presion e ka brenda vetes.

Ai theksoi se nuk ka asnjë diferencë midis pranimit të një akademiku dhe një profesori në Universitet.

Fuga: Janë të njëjtat kërkesa, madje më të ulëta.