Sonte Nata e Kadrit, besimtarët myslimanë presin natën e vlefshme sa 1 mijë muaj

Ky 17 prill, sipas llogarive të dijetarëve myslimanë shënon Natën e Kadrit. Besimtarët, që e cilësojnë më të vlefshme se 1 mijë muaj, janë duke e pritur me agjërim, falje e vepra të mira.

Mban në duar librin e shenjtë për besimtarët myslimanë, që beson se ka zbritur në tokë në Natën e Kadrit.

Këtë natë që konsiderohet më e mirë se një mijë muaj, Lumturija po e pret me falje namazi e lexim Kurani në Xhaminë e Medresesë në Tiranë.
Agjëron prej 20 vitesh.

"Falim 5 vaktet, vij çdo ditë në vaktin e drekës, u mësojmë Kuranin gocave." Për

Natën e Madhe nuk ka një datë të saktë, por Lumturija ndan bindjen se e ka përjetuar disa herë.

"Është shumë madhështore."

Thotë se në këtë ditë përcaktohet fati i njeriut përgjatë një viti.

"Cakton të gjithë risqet për një vit, është e vlefshme sa 1 mijë muaj, i thonë 83 vjet, një jetë."

Dijetarët myslimanë kanë llogaritur se Nata e Kadrit këtë vit është në datën 17 Prill.

Imam Marius Tafani tregon disa nga shenjat e kësaj Nate që gjendet në 10 ditëshin e fundit të Muajit të Ramazanit.

"Mbizotëron një qetësi dhe në atmosferën jashtë. Dielli mëngjesin e asaj nate lind ndryshe nga ditët e tjera, është një diell që nuk e vret syrin e njeriut. Dhe mëngjesin para se të lindë dielli, atë natë bie një shi i butë që është një prej shenjave që mund të ketë qenë Nata e Kadrit."

Për ata që agjërojnë, përfitimet shpirtërore janë të mëdha.

"Kush e kalon Natën e Kadrit me agjerim dhe më pas e kalon duke kryer falje ndaj Zotit të tij atij do ti falen të gjitha gjynahet e kaluara."

Muaji i Ramazanit ka hyrë në ditët e fundit.

Agjërimi ndalet në datën 20 prill, ndërsa të premten e 21 prillit besimtarët kremtojnë festën e Fiter Bajramit.