Rritja e pagave në arsim, Mehmeti: Premtim i pabesueshëm, nuk ka ende një vendim, u diskriminuan disa mësues

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit në një intervistë për Ora News deklaroi se deklarata për rritjen e pagave nga qeveria është ende një premtim pasi nuk ka një vendim të shkruar.

Mehmeti përmendi dhe disa kategori të mësuesve që sipas tij duhet të ishin përfshirë në rritjen e pagave, ndërsa nuk la pa përmendur as sindikatën e pedagogëve

"Nuk ka një vendim por ende një premtim. Mu duk i pabesueshëm si një lloj fjalësh. Si akrobaci ku nga kapelja del një herë një lepur, trëndafil e zog. U fol për mësuesit e gjimnazit, pati një diskriminim, pasi u pa një pagë që shkon deri tek rroga e një drejtori në ministri por nuk dihet nëse është paga bruto apo neto. Ka disa arsye e dilema që na bëjnë të mendojmë se është thjesht një premtim pasi nuk ka një vendim të shkruar.

Nuk e di se pse janë përjashtuar dy kategori shumë të rëndësishme, si mësuesit parashkollorë. U premtua një pagë e madhe për mësuesit e arsimit të mesëm por punën më të madhe e bëjnë arsimi parashkollor qoftë në kohëzgjatje edukim, mësimet e para në sjellje e dije. Pastaj vazhdon arsimi fillor që prap mbetet i diskriminuar dhe arsimi i detyruar. Nuk u fol për ndihmësmësuesit, për mësuesit që merren me kategorinë e nxënësve që nuk dëgjojnë ose nuk shikojnë që kanë disa specifika. Kalojnë përtej mësuesve që merren me nxënësit e tjerë. Kryeministri duhet të na shpjegojë pse nuk e pranoi ai kërkesën që kishte sindikata, por e goditi me lloj lloj etiketimesh. Ndërsa tani e pranoi vetë 20 plus 30%, po aq kërkuan dhe ata.

Po mësuesi që punon në zonat rurale dhe periferike do të ketë një bonus që të ketë një interes më të lartë për të shkuar në punë," tha ai.