“Investime që përmbytin”/ Banorët në Vlorë kundër një projekti për rrugën e lagjes
Banorët në zonën e ish-fushave të Aviacionit në Vlorë prej 30 vitesh kanë pritur investime në lagjen e tyre. Por, kur këto investime po bëhen realitet, tanimë ata janë kundër. Sipas banorëve plani që po zbatohet në lagjen e tyre është një plan, i cili do të përmbytë shtëpitë, pasi niveli i rrugës do të shkojë më lart se oborret e tyre.
Prej disa muajsh në zonën e “ish-fushave të Aviacionit” ka nisur një projekt për rehabilitimin total të këtij blloku banimi.
Banorët që nuk kanë parë investme prej vitesh në lagjen e tyre, tanimë shprehen kundër këtij projekti!
Shkak, sipas tyre, është se firma që po kryen punimet, po zbaton një plan që do të sjellë përmbytje në shtëpitë e tyre.
“Kundërshtimi bëhet pasi janë bërë ujërat e zeza dhe kapaku i pusetës është këtu. Ndërsa këtu duhet të vijë niveli i asfaltit. Po na mbysin. Katet e para janë jashtë përdorimit. Shikojë, kuota kaq është”, thotë njëri prej banorëve.
“Ne duam që dhe ujërat e zeza të na dalin në atë nivel të trotuarit siç dhe e shpjegoi ai shoku”, shprehet banori tjetër.
Ata shprehen se nëse rikonstruktimi i rrugës nuk kryhet me qëllimin që shtëpitë e tyre të mos përmbyten, atëherë më mirë të mos bëhet fare.
“Kjo duhet thelluar asfalti që të vijë në këtë nivel. Ndërsa ajo rruga tjetër aty lart ka qenë rrugë elektorale dhe është jashtë standardit. Dhe këta duan që ta nxjerrin me atë nivel atje që është jashtë çdo standardi. Të gjithë katet e para janë të mbytura. Më mirë t’i prishin, nuk i duam fare këto investime”, thotë banori.
“Ku do vejhë ai ujë aty në mes të rrugës se këtu është beton nga të katra anët. Rruga bëhet por lagjia del jashtë loje fare”, thotë një tjetër banor.
Projekti rehabilitues është i qeverisë shqiptare për zonën e ish-fushave të aviacionit.
Ky projekt financohet nga fondi i zhvillimit me një kosto totale 263 milion lekësh me tvsh. Punimet që kanë nisur, kanë afat realizimi 9 muaj.


