Fshati pa rrugë në Memaliaj, banorët: Investojmë vetë, askush nuk na përgjigjet!
Rrugët e mbushura nga balta në fshatin Izvor që është një ndër fshatrat më të mëdhenj atje, shqetësojnë banorët. Ky fshat me 700 votues, është i lakmuar sa herë që partive të ndryshme u nevojiten vota, por sipas banorëve hallet e tyre askush nuk ua ka qarë deri më sot sa I përket infrastrukturës dhe investimeve.
Kjo është rruga e fshatit Izvor në Memaliaj.
Është ndër fshatrat më të mëdhenj në njësinë e Luftinjës por askush nuk ka vënë dorë në të!
Të gjendur mes braktisjes, banorët thonë se janë angazhuar për të shtruar vetë rrugët, sa munden!
“Këtë rrugë këtu e kam shtruar vetë. Djali po më këputet në Greqi dhe s’ka nga ta kapi. Se vjen djali im dhe me xhepin e tij shtron rrugën”, shprehet banorja.
Banorët shprehen se shpesh janë ankuar, por zgjidhje nuk kanë marrë kurrë!
“Thonë që do bëhet, se kështu na tha dhe kryetari i Bashkisë, edhe poshtë , edhe lart. Me ndriçim dhe me kanale. Por, faktikisht nuk është bërë asgjë”, thotë një banor.
“Kur kisha burrin sëmurë, e kam ngritur në krahë se nuk kisha as njerëz dhe e kam çuar atje poshtë, se i ra trompozë dhe ishte baltë e madhe”, shprehet banorja tjetër,
“I jemi ankuar për drita, se askush nuk jep zgjidhje. Pastaj rruga e Unazës këtu është shumë keq. Na është thënë se do bëjnë kanalizimet, nuk e kanë bërë kanalin kryesor”, thotë një tjetër banor.
Në një përgjigje për Ora Neës, bashkia e Memaliajt tha se rikonstruktimi i aksit është parashikuar të bëhet në 6 mujorin e dytë të këtoj viti.


