Të moshuarit nuk lënë fshatin/ Në Klos të rinjtë kanë ikur, pleqtë punojnë tokën

Në fshatrat e Klosit emigrimi ka ndikuar tek bujqësia. Por pavarësisht vështirësive, të moshuarit që kanë mbetur thonë se ata vijojnë që të punojnë tokën, ndërsa mbajnë gjallë bujqësinë në këto zona që po boshatisen nga njerëzit.

Djali i tyre i vetëm kaloi detin me gomone, për një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe.

Nga fshati Bejn i Klosit i riu la pas nënën dhe babain.

"Me gomone për në Angli, 5 orë në ujë. Ka 6-7 muaj, nuk ka të ardhme."

Por, Drita e Haziz Hoxha nga fshati nuk e kanë lënë bujqësinë.

Edhe pse të moshuar, ata thonë se do të punojnë derisa të munden.

"Fshati ka shumë vështirësi."

Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet fshati Bejn është mungesa e ujit vaditës, çka i ka detyruar që të sigurojnë ujë për stinën e verës që në këtë periudhë.

"Nuk kemi ujë. Deri në korrik shtyjmë pastaj dy orë ujë. I kemi mbushur depozitat që tani me ujë për të vaditur kumbullat."

Pavarësisht ikjes masive të të rinjve, janë mosha e tretë që ende mundohet të mbajë gjallë fshatin.