Zjarri në ndërtesën në Dubai, 16 të vdekur, 9 të tjerë në gjendje kritike
Një pallat në një nga zonat më të vjetra të Dubait u përfshi nga flakë vdekjeprurëse. 16 persona kanë humbur jetën e dhjetra të tjerë janë plagosur rëndë ndërkohë autoritetet po hetojnë shkakun e ngjarjes.
Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën rëndë si pasojë e zjarrit në një ndërtesë banimi në Dubai. Mediat lokale raportuan se zjarri ka rënë në katin e katërt të një pallati pesëkatësh, në zonën e vjetër Al-Ras.
Mes të vdekurve janë katër shtetas indianë dhe tre pakistanezë. Viktimë mbeti edhe roja i pallatit i cili në tentativë për të shpëtuar banorët mbeti brenda godinës pa arritur të dalë.
Ekipet e zjarrfikësve mbërritën në vendngjarje në orën 12:41 të se shtunës me orën lokale.
Mbrojtja Civile e Dubait tha se shkak për këtë ngjarje janë mungesa e kushteve të sigurisë së ndërtesës teksa ka nisur edhe një hetim për të mësuar më shumë detaje.
Në deklaratë u kërkohej gjithashtu pronarëve dhe banorëve të ndërtesave rezidenciale dhe komerciale të respektojnë "kërkesat dhe udhëzimet e sigurisë për të shmangur aksidentet dhe për të mbrojtur jetët e njerëzve".
Zona Al-Ras është afër tregjeve të arit dhe erëzave të qytetit, të cilat janë atraksione të njohura turistike.