Ministri gjerman i Ekonomisë bën thirrje për sanksione evropiane ndaj uraniumit rus
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck ka sugjeruar sërish vendosjen e sanksioneve për t'i dhënë fund varësisë së vendeve evropiane nga uraniumi rus, duke theksuar se Moska nuk mund të konsiderohet më një partner i besueshëm, veçanërisht në sektorin e energjisë.
“Rusia po përdor disa varësi në sektorin e energjisë si një mjet për të ushtruar presion politik”, tha zoti Habeck për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (dpa) dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të vendosë sanksione ndaj industrisë bërthamore të Rusisë.
"Qeveria federale ka folur me Komisionin Evropian në favor të përfshirjes së sektorit bërthamor civil në sanksione," vuri në dukje ministri gjerman, me një sy në uraniumin e furnizuar nga Rusia në shumë vende evropiane për shufrat e karburantit bërthamor, por edhe ruajtjen e mbetjeve radioaktive që ofron për llogari të tyre.
“BE-ja duhet të bëhet plotësisht e pavarur nga Rusia në çështjet e energjisë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, por sektori bërthamor është ende i hapur dhe nuk mund të justifikohet se ka ende diçka që merr trajtim preferencial”, shtoi ai.
Në Evropë, Franca, Belgjika, Zvicra, Britania e Madhe, Spanja, Suedia, Holanda, Finlanda, Bullgaria dhe Sllovakia, ndër të tjera, përdorin uraniumin rus për centralet e tyre bërthamore, duke e bërë këtë çështje të diskutueshme për Bashkimin Evropian.
Tre centralet e fundit bërthamore të Gjermanisë do të mbyllen sonte, por ka ende 12 vende anëtare të BE-së që ende përdorin energjinë bërthamore për të prodhuar energji elektrike.

