"500 oaze të gjelbëruara për Tiranën" Blushi: 6 parqe në kurorën rrethuese të kryeqytetit
Sekretar i Përgjithshëm i Partisë të Lirisë Tedi Blushi deklaroi sot se Tiranës në vitet e fundit i janë zhdukur 520 mijë metra katrorë gjelbërim.
Pas prezantimit të projektit për një Tiranë më të gjelbëruar të kandidatit Belind Këlliçi , Blushi i quajti këto zgjedhje për një Tiranë të jetueshme e të shëndetshme.
"Vota për Belind Këlliçi është votë për gjelbërimin, për një Tiranë të jetueshme dhe të shëndetshme.
Në kryeqytet në tetë vitet e fundit janë zhdukur rreth 520 mijë metra katror gjelbërim, për t'i hapur rrugë ndërtimit, betonizimit dhe shndërrimit të Tiranës në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave në kulla shumëkatëshe.
Belind Këlliçi ka një plan konkret për ndryshimin e kësaj situate duke u zotuar për 500 oaze të gjelbërta dhe vendpushime në qytet, nga një për secilën lagje.
Nëpërmjet tyre do të transformohet Tirana nga një qytet i keqplanifikuar, i mbytur në beton, në një qytet të jetueshëm modern, që i jep përparësi qytetarëve duke u mundësuar hapësira të gjelbërta pranë shtëpisë së tyre dhe pranë komuniteti ku ka banorë.
Gjithashtu Belindi zotohet për ngritjen e 6 parqeve në kurorën rrethuese të Tiranës, duke nisur me Parkun e Gollogjenit, Parkun e liqenit të Kusit në Kashar, Parkun e liqenit të Robës në Baldushk, Parkun e liqenit të Fjollës në Pezë, Parkun e liqenit të Prushit në Allgjatë dhe Parkun treliqenor të Linzës, Tufinës dhe Priskës.
Ndryshimi është në duart tuaja!
Bashkë Fitojmë!