"S`ka fonde publike për shfrytëzuesit", Rama paralajmëron kompanitë që keqpaguajnë punëtorët

Kompanitë private që keqpaguajnë punëtorët nuk do të kenë akses në fondet publike.

Kjo do të jetë një nga masat që do të marrë qeveria në vijim për të gjitha ato ndërmarrje që sipas Kryeministrit kanë rroga të paarsyeshme për stafet e tyre.

"Ne do marrim masa. Sikundër do ndalojmë pjesëmarrjen ose aksesin në fonde publike për ndërtim qoftë për infrastrukturë apo dhënien e lejeve të ndërtimit. Për kompani që nuk paguajnë punëtorët në mënyrë dinjitioze, këtë e vendos tregu dhe domosdoshmëria për ti dhënë fund mashtrimit me pagat ku një pjksë jepet në bankë dhe një pjesë nëndorë.

Nuk detyrojmë dot kompanitë por mund tu themi se nëse ti punon në ndërtim dhe ngjit punëtorë në katin e 12 në mes të dimrit dhe vapës dhe i paguan 300 mijë lekë përveçse mua më vjen shumnë turp për ty nuk merr dot asnjë fond nga taksat e shqiptarëve sepse ti je një shfrytëzues jo një sipërmarrës. Sa i përket kompanive në këtë sektor (bujqësi) do ta lidhim me fondet e projekteve. Sigurisht duke vendosur një dysheme të arsyeshme".

Në një takim me fermerë kreu i qeverisë u bëri thirrje sipërmarrjeve që të vlerësojnë punonjësit pasi lufta për krahë pune po bëhet gjithmonë e më e egër.

"Nevoja për të mbrojtur krahun e punës është gjëja kryesore që duhet ta jetë çdokush që ka qoftë edhe dy të punësuar qoftë në sektorin publik apo privat. Qeveria po  bën një rritje historike të pagave, duke çuar pagën mesatare në 900 euro. Sektori privat ka filluar të reagojë por jo sa duhet dhe jo si duhet. Koha vrapon me shpejtësi. Njerëzit që keni trajnuar mos i merrni për të sigurt që do ti keni aty nëse nuk do ti paguani si duhet.

Problemi ëahtë se kur të ikën një nga ata është njësoj si të këputet një krah por është vonë. Koha kur njerëzit mund të punonin këtu me ato paga me të cilat janë paguar deri tani ka ikur. Duhen paga më të larta dhe duhet sakrificë e re dhe për ata që në fund thonë nuk fitoj. Mos fito në një moment të caktuar por ama fiton sigurinë e forcave të punës. Nuk ke shans ti mbijetosh të nesërmnes nëse sot të lënë pushkën në faqe luftëtarët me të cilët ti lufton çdo ditë, që nga roja".

Të premten u prezantua portali i fermerëve ku këta të fundit do të mund të njihen në kohë reale me çmimet e tregut por edhe skemat e mbështetjes.

Kryeministri tha se përmes këtij aplikacioni fermerët kanë më shumë informacion e shmangen abuzimet.

"Sot, e gjitha kjo ka rëndësi për këtë që po bëjmë sepse është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe unë jam i bindur që të gjithë ata që do ta konsiderojnë si të tillë dhe të gjithë ata që do të përdorin portalin e fermerit do t’ia shohin hairin këtij Portali sepse do të fitojnë pavarësi nga të gjithë kthesat, pengesat, pamundësitë ose edhe nga dezinformimi, keqinformimi, shtrembërimi i fakteve që jo gjithmonë ndodh qëllimisht. Do të fitojnë pavarësi për të pasur një bazë të dhënash në kohë reale të të gjithë komponentëve të zhvillimit rural, për të punuar me atë bazë të dhënash, për ta studiuar atë bazë të dhënash dhe për të mësuar nga ajo bazë të dhënash".

Ndërsa ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tha se portali do të ndihmohet me informacion edhe nga satelitët shqiptarë në hapësirë.