NATO dyfishon kufirin me Rusinë/ Finlanda, zyrtarisht anëtari i 31-të i Aleancës, Suedia e bllokuar nga Turqia

Finlanda u bë zyrtarisht vendi i 31-të anëtar i NATO-s,  duke dyfishuar kufirin e Aleancës së Atlantikut me Rusinë. Sekretari Stoltenberg e cilësoi ditë historike, ndërsa konfirmoi politikën e dyerve të hapura tashmë për Suedinë që bllokohet nga Turqia.

Finlanda zyrtarisht në NATO. Valëvitja e flamurit, krah 30 të tjerëve në selinë e Aleancës Ushtarake të Atalantikut të Veriut në Bruksel përkthehet në më shumë siguri për vendin nordik.

Ditë historike e cilësoi Sekretari i Përgjithshëm zgjerimin e Aleancës në 74 vjetorin e themelimit që përkon në një kohë sfidash të mëdha globale

 “Ky ka qenë anëtarësimi më i shpejtë në historinë moderne të NATO-s. Lufta është rikthyer në Evropë dhe Finlanda vendosi t`i bashkohet NATO-s. Dyert e NATO-s mbeten të hapura dhe askush nuk mund t`i mbyllë me forcë. Ne qëndrojmë së bashku, mbrojmë njëri-tjetrin, të gjithë për një, dhe një për të gjithë”.

Për Presidentin finlandez, epoka kur Finlanda nuk angazhohej ushtarakisht ka marrë fund.

“Secili vend maksimizon sigurinë e tij. Këtë bëri dhe Finlanda. Anëtarësimi nuk është kundër askujt. Finlanda është e angazhuar për sigurinë e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, do të jetë një aleat i besueshëm që forcon stabilitetin rajonal”.

Stoltenberg dhe Presidenti i Finlandës tha se presin sa më shpejt të jetë e mundur dhe anëtarësimin e Suedisë e që aplikoi në të njejtën kohë.

Mirëpo Suedia është bllokuar nga Turqia për shkak se nuk pranon të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Ankaraja pretendon se janë të lidhur me puçin e dështuar të vitit 2016.

Anëtarësimi i Finlandës shihet si goditje strategjike dhe politike ndaj presidentit rus Vladimir Putin, i cili është ankuar prej kohësh për zgjerimin e NATO-s.

Tashmë kufiri i Rusisë me aleancën më të madhe ushtarake në botë dyfishohet.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti lëvizjen e Helsinkit për t'u bashkuar me bllokun një "shkelje" ndaj sigurisë së Rusisë.

Në Samitin e NATO-s, Shqipëria që këtë vit shënoi 14 vjetorin në Alenancë,  u përfaqësua nga Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.