Berisha: Rama bënte sikur derdhte lot për luftëtarët në Hagë, por nuk lejonte dënimin e gjenocidit serb

Nga Tropoja, Sali Berisha tha se 14 maji është një ditë e një misioni të madh, një ditë për përmbysjen e monizmit, një ditë për ndarjen nga ky regjim.

Ai theksoi se Rama vrapon nga samiti në samit duke kërkuar të mos i imponohet Serbisë që të respektojë sanksionet ndaj Putinit, duke kërkuar që Serbia të mbetet një Rusi e vogël.

Berisha shtoi se Rama dy ditë derdhte lot për luftëtarët që gjykohen në Hagë, por në të njëjtën ditë nuk lejonte votimin në parlament të dënimit të gjenocidit serb në Kosovë.

Berisha: 14 maji është një ditë e një misioni të madh, një ditë për përmbysjen e monizmit, një ditë për ndarjen nga ky regjim që është sjellë me ju, është sjellë me shqiptarët si një pushtues i egër. Ky regjim është njëkohësisht një regjim fund e krye antishqiptar. Sot, shqiptarët kanë një kryeministër vegël e shpifur e Aleksandër Vuçiçit. Kryeministri i Shqipërisë që i shërben Rexh Byberi, vrapon nga samiti në samit si avokat i Vuçiçit. Vrapon nga samiti në samit duke kërkuar të mos i imponohet Serbisë që të respektojë sanksionet ndaj Putinit, duke kërkuar që Serbia të mbetet një Rusi e vogël.

A mundet një shqiptar të marrë përsipër këtë rol tradhtari që merr Edi Rama? A mundet një malësor t’i shërbejë Edi Ramës, njësoj si t’i shërbejë armiqve të kombit. Zgjedhjet më 14 maj janë për fatin e Shqipërisë. Edi Rama është një armik i shqiptarëve, një armik i Kosovës. Këto dy ditë derdhte lot për luftëtarët që gjykohen në Hagë, por në të njëjtën ditë nuk lejonte votimin në parlament të dënimit të gjenocidit serb në Kosovë. A mundet një shqiptar të mohojë gjenocidin ciklik serb në Kosovë? A mundet një shqiptar të mohojë gjenocidin e vitit 13 në Lumë, Has, Dibër, Tropojë, të certifikuar nga specialistë ndërkombëtarë të kohës? Ky është një antishqiptar që nuk e ka parë toka. Ndaj dhe Rexhë, çdo orë që nuk e dorëzon atë bashki, i shërben një armiku të egër të shqiptarëve.