Berisha nga Tropoja: Kudo që shkojmë, përballen kandidatët e lirisë me kandidatët e bodrumeve të mafies

Nga Tropoja ku prezantoi kandidatin e dalë nga Primaret për këtë bashki, Sali Berisha tha se Besnik Dushaj, punoi me përkushtim të madh për ndryshimin e kësaj treve, për zhvillimin e saj.

Ai theksoi se kudo që shkon, përballet kandidatët e lirisë me kandidatët e bodrumeve të mafies., ndërsa kandidatët e tij janë zgjedhur nga demokratët.

Berisha: Sot kam ardhur këtu tek ju për të paraqitur si kandidat për kryetar të bashkisë së Tropojës, zotin Besnik Dushaj, njërin nga demokratët më të vendosur, njërin nga pasardhësit e një familje të nderuar, njërin nga qeveritarët vendorë më të talentuar, njeriun me virtyte, që punoi me përkushtim të madh për ndryshimin e kësaj treve, për zhvillimin e saj. Kam ardhur këtu ballëhapur, jo vetëm për trashëgiminë e punës dhe familjare që Besniku ka, por se kësaj radhe, Admir Sinamati të cilin e përshëndes përzemërsisht, Myftar Dauti që na pret në Has, i paraqesim kandidatë të lirisë, kandidatë të votës suaj, kandidatë të primareve.

Unë e di se procesi i primareve, i pari në 32 vite, nuk ishte i përsosur, por u garantoj ju se ai do bëhet gjithnjë e më i përsosur. Kurrë PD nuk do emërojë kryetarin tuaj, kryetarin e bashkisë suaj, deputetin tuaj, por ju e vetëm ju me vullnetin tuaj do i zgjidhni ata. Ta pyesim pak Rexhën, ti kandidat i kujt je? Cili socialist të ka zgjedhur ty? Cili qytetar i këtij rrethi të ka votuar ty? Nga dole ti? Nga sirtarët e Edi Ramës. Kudo që shkojmë, përballen kandidatët e lirisë me kandidatët e bodrumeve të mafies.