Rikthehet sherri për Xhaçkën, Opozita: Heqja e mandatit të dërgohet në Kushtetuese; PS: Duhet interpretim nga nga ekspertë

Çështja e mandatit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, shkaktoi debate të forta gjatë mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit. Deputetët e opozitës kërkuan që dosja të dërgohet menjëherë në Gjykatën Kushtetuese. Por me shumicë votash, mazhoranca kërkoi që konflikti i interesit të shqyrtohet më parë nga ekspertët.

Këshilli i Legjislacionit në Parlament ka rihapur diskutimin sa i përket mandatit të Olta Xhaçkës.

Mazhoranca në qëndrimin e saj kërkoi ekspertizë vendase dhe të huaj sa i përket interpretimit kushtetues për rrugën që Kuvendi ndjek për nisma të tilla.

Bushka: Kemi nevojë për konstitucinalistë, pesha e përgjegjësisë së vendimit që duhet të marrim nuk na takon vetëm ne.

Gjonaj: Kërkoj një mendim për tu rrahur me ekspertë apo institucionet që janë përgjegjëse, institucionet ligjzbatuese për kodin penal.

Pas rikthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese sërish në dyert e Legjislativit, opozita shprehet se pretendimet e reja janë vetëm për të zvarritur çështjen.

Bardhi: Nuk ka më nevojë për teori dhe zvarritje, nuk e pengoni dot. Nderin koleges ja keni bërë sa keni mundur.Do të duhet menjëherë të procedojmë me kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit që në seancën më të afërt plenare Kuvendi i Shqipërisë të vendosë dërgimin e çështjes përkatëse në Gjykatën Kushtetuese.

Mendimet e kundërta midis opozitës dhe mazhorancës nxehën gjakrat në mbledhje.

Në nëntor të vitit të shkuar, mazhoranca në Kuvend votoi kundër largimit të Xhaçkës.

PD, me pretendimin se ajo ishte në konflikt interesi pasi bashkëshorti i saj u shpall investitor strategjik nga qeveria, e ankimoi në Gjykatën kushtetuese.

Kjo e fundit në janar të 2023 e riktheu dosjen në Kuvend, ku tashmë ka rinisur përplasja.