14 vjet Shqipëria në NATO, politika përkujton anëtarësimit e vendit në Aleancës euroatlantike

14 vite më parë Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s. Presidenti Bajram Begaj në postimin në facebook shprehet se vendi ynë është krenar që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë dhe që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë!

Edhe ambasada e SHBA në reagimin e bërë shprehet se që atëherë Shqipëria ka qenë një pjesëmarrëse aktive në përpjekjet e mbrojtjes së përbashkët dhe stabilitetin rajonal.

“Si një anëtare e rëndësishme e NATO-s, Shqipëria ka treguar përkushtimin e saj për të çuar përpara paqen dhe sigurinë dhe ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO. Si një aleat dhe partner krenar, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të fortë me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë”, thuhet në deklaratë.

Ish kryeministri Sali Berisha në urimin e tij ka publikuar pamje të momentit të ngritjes së flamurit shqiptar dhe të fjalimit që ai mbajti në seancën e pranimit.

“Ky anëtarësim u bë i mundur nga sukseset e reformave të thella dhe gjithanshme, funksionimi i shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Kjo ëndërr u bë realitet për shqiptarët me mbështetjen e fuqishme të presidentit të SHBA, mikut të madh të kombit tonë George w. Bush dhe vendeve anëtare të NATO-s”, shprehet Berisha.

Ndërsa ish presidenti Meta shton se Qytetarët tanë prej 1 Prillit 2009, kanë garancinë e plotë se vendi i tyre gëzon mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë përmes ekzistencës së kësaj Aleance.

Ata jetojnë në një rajon, për paqen dhe stabilitetin e të cilit, NATO ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol jetik dhe të pazëvendësueshëm.

Ndër të tjera si kryetar i partisë së lirisë ai shprehet se  angazhohet për t'u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare.