Dorëhiqen kandidatët e Alibeajt, Celibashi: Emri u hiqet nga fleta e votimit, nuk e dimë sa emra ka PD

Kandidatët e Enkelejd Alibeaj vijojnë të tërhiqen nga gara për kryetar të bashkive. Emri i paraqitur në Krujë ishte i fundit që dorëzoi kërkesën. Në këtë situatë edhe vetë KQZ nuk e di sa bashki garon PD që ka të drejtën e vulës. Ilirian Celibashi shprehet se emrat fshihen nga fleta e votimit nëse dorëheqja paraqitet para momentit të miratimit. 

Sabah Sheta është kandidati i radhës i Enkelejd Alibeajt që tërhiqet nga gara duke bërë që demokratët të kenë si garues për kryetar të Krujës të zgjedhurin nga primaret.

Mesazhin ai e ka bërë publik në Facebook ku shprehet se vendimin e ka marrë pas shqetësimeve të bazës për përçarje.

Megjithatë Sheta deklaron se do të angazhohet për votat e këshilltarëve.

Vetë nënkryetari i PD deklaroi pak ditë më parë se do të përfaqësohet me rreth 20 konkurrent për kryetar bashkie, por deri më tani 6 prej tyre kanë dhënë dorëheqje.

Sipas kryekomisionerit të zgjedhjeve Ilirian Celibashi nëse kërkesat paraqiten para miratimit nga KQZ apo KZAZ emri fshihet nga fleta e votimit.

“Nuk e kemi këtë informacion, e kemi të pamundur për faktin se jemi në proces vlerësimi dokumentacioni.”

Por edhe vetë Celibashi thekson se nuk e ka të qartë se sa kandidat do të ketë Alibeaj.

“Nëse tërhiqet njëri nga kandidatët nuk do jetë në fletë votimi dhe do të mungojë. Nëse do të tërhiqet kur të jetë miratuar fletë do të rrijë aty sepse nuk kemi çfarë të bëjmë.”

Në konferencën për mediat ai u kërkoi kryetarëve aktual të bashkive që për promovimin e punëve të mos angazhojnë funksionarë politik e të mos i përdorin për fushatë.