Nga uniforma në varr, 422 policë humbën jetën në 32 vite

Liri Coli po kërkon emri e të vëllait në librin e policëve të rënë në krye të detyrës.

Ilir Dashi ishte shef krimesh në komisariatin e policisë së Malësisë së Madhe kur u vra në 1997.

Dashi u qëllua për vdekje nga një bandë e armatosur, e cila fillimisht sulmoi komisariatin e Koplikut.

Shefi i krimeve bëri një përpjekje për të ulur gjakrat, por u godit me plumb pas shpine nga njëri prej agresorëve të bandës.

Ishte 27 vjeç kur humbi jetën dhe motra e tij rrëfen ato momente.

"Sa kishte filluar karrierën me dëshirën e madhe për ti shërbyer vendit të vet. Viti 1997 mos u ktheftë më, ishte për të gjithë i padëshirueshëm. Si për ata që humbën jetën, por edhe për ne që e jetuam atë kohë."

Veç Ilir Dashit, në librin "Të rënët" e autorëve Hilë Lushaku dhe Bajram Ibraj janë emrat e 422 efektivëve që kanë humbur jetën në detyrë.

Prej tyre vetëm 186 janë Dëshmorë Atdheu.

Për Hilë Lushakun, ky botim nuk është shkruar me bojë por me gjak.

Vështirësia e realizimit të këtyre dy vëllimeve ka qenë se në shumë raste mungonin dosjet.

"Nuk gjendeshin të dhëna biografike, nuk gjendeshin fotografi, nuk gjendeshin relacione policie, nuk kishte vendime gjykate, nuk kishte procedura hetimi të prokurorisë."

Duke treguar raste absurde si të shpallur si të vetëvrarë me 3 apo 6 plumba, Lushaku u kërkon familjarëve të kërkojnë shpalljen e tyre dëshmorë.

"Procedurat hetimore për zbardhjen e të vërtetës, të vrasjes së policëve në 32 vjet nuk janë profesionale."

Ndërsa Bajram Ibraj thotë se libri bazohet vetëm në fakte.

"Kemi dashur që më shumë sesa ne të flasin materialet, dokumentat".

Nga viti 1990 dhe deri në 2022, numërohen zyrtarisht 422 efektivë të vrarë, të gjithë burra.

Shumica e viktimave janë në radhët e policisë së rendit.