“Uzina e Kukësit” në Hagë/ Dëshmitë ndaj Pjetër Shalës, ish pjesëtari i UÇK-së largohet nga salla e gjyqit

Seria dy ditore e dëshmive për krimet e pretenduara në Uzinën e Metalit të Kukësit e ka bërë të akuzuarin Pjetër Shala, ish-pjesetar i UçK-së të lërë sallën e gjyqit të martën.

Avokati tha se ai po dridhej dhe është në ankth, e për këtë arsye është vendosur që ai ta ndjekë procesin përmes “videocall” nga qendra e paraburgimit.

Gilissen: “Ai është pak nervoz, nuk e vlerëson se si po shkojnë zhvillimet dhe parapëlqen që seancën ta ndjek me video-lidhje, është më mirë për atë. E takuam dy herë para se të fillonim tani, ishte shumë nervoz, shumë në ankth, po dridhej, besojmë se është më mirë për atë, dhe për të gjithë, që të kthehet, prandaj do të ju lutesha të merrni parasysh kërkesën të kthehet në paraburgim dhe kërkon leje që ta ndjek seancën me video-lidhje".

DËSHMIA KUNDËR PJETËR SHALËS

Dëshmitari i parë i mbrojtur, foli në seancë në kushte anonimati, për torturat ndaj babait të tij që i janë bërë në Uzinën e metalit në Kukës, ambient që sipas organit të akuzës shfrytëzohej nga UÇK gjatë viteve 1998.

Ai rregoi se i ati ishte keqtrajtuar nga Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi. Ai rrefeu se si në maj të vitit 1998, disa persona kishin shkuar në shtëpinë e tij me kërkesën për dorëzimin e armëve.

Ai pretendon se në mesin e tyre ka qenë edhe Pjetër Shala. Këtë ka thënë se nuk e kishte parë vetë por e kishte mësuar nga babai dhe fqinjët.  Pasi ia kane rrembyer babane, e kanë keqtrajtuar deri në kthimin në shtëpi 13 ditë më vonë.

Sipas tij, disa prej atyre personave ishin me uniformë që mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa të tjerë në rroba civile. Rrëfeu në gjyq dhe për pasojat që i kanë lënë të atit torturat në uzinën e Kukësit.

Deshmitari: “Me sa unë e mbaj në mend, diku 2008-ën veç ka filluar me humb shikimin, ka dokumentacionin ku është operuar, por pa sukses. I ka tetë vite prej kohës kur është mbajtur në kampin e përqendrimit, në burg sepse nuk është vetëm kamp. Kështu që të gjitha i kanë ardhur nga aty. Nga torturat çnjerëzorë deri në alivanosje ku babai tregonte që kur kanë ardhur njerëzit e tjerë u kanë thënë merre rrihe ti. Tortura të ndryshme nga këta tre persona, me persona të tjerë që ka pasur, emrat nuk ka mundur t’i identifikojë. Mirëpo i dyshuari duhet të tregojë për të gjitha, çka është bërë aty, se ka qenë aty prezent, ka ushtruar dhunë, me gjithë personat e tjerë”

Seanca në Hagë po vazhdon me rrëfimin e dytë në këtë proces gjyqësor, që njihet si dëshmitarja me numrin 6.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej prillit të vitit 2021, pas arrestimit në mars të atij viti në Belgjikë.

Ai përballet me katër akuza: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torura dhe vrasje të paligjshme për krimet e pretenduara se kanë ndodhur mes 17 majit dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës. Në Hagë ndodhen edhe drejtuesit e UÇK-së Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.