Zbatimi i marrëveshjes me Serbinë pritet të ketë zvarritje, e varur prej presionit të BE dhe SHBA

Zbatimi i marrëveshjes me Serbinë pritet të ketë zvarritje.

Tetë ditë pas dakordimit në Ohër për aneksin e implementimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e mardhënieve Kosovë-Serbi, palët ende nuk ka nisur hapat konkretë për zbatim, edhe pse disa prej afateve janë të përcaktuara. Njohës të procesit të dialogut shprehen se gjithçka varet nga presioni i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 “Sigurisht që do të ketë një zvarritje në implementim dhe pritet një rol i rëndësishëm i ndërmjetësuese BE-së dhe ShBA-së, ku zvarritja do të varet kryesisht nga presioni i tyre.

Çështja e Asociacionit do të jetë çështja më e nxehtë, do të ketë negociata tjera për natyrën e Asociacionit dhe një çështje kontestuese është marrëveshja e vitit 2015 se a vlen ajo marrëveshje apo jo. Pozicioni i Kosovës është se ajo marrëveshje është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Kosova do të insistojë të formohet një Asociacioni vetëm në marrëveshjen e vitit 2013," tha Fetahu.

Edhe për Arbër Fetahun nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike shtyrja e zbatimit është e pritshme.

“Konsideroj se neni shtatë do të konkretizohet në javët në vazhdim nëse veç edhe marrëveshja do të jetë më obligative nga BE-ja. Pastaj do ta dina qartësisht apo bëhet fjalë për krijimin e ndonjë Asociacioni apo ndonjë mekanizmi tjetër që ka më pak kompetenca se Asociacioni, por ka ngjashmëri. Edhe tek ky nen kemi një lloj loje të fjalëve semantike që ka për qëllim interpretimin të palëve se si ata dëshirojnë”, tha ai.

Në anën tjetër, në partinë opozitare, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës e akuzon kryeministrin Albin Kurti se po krijon terren për një pushtet të tretë për serbët e Kosovës në bazë të nenit shtatë të marrëveshjes bazë.

Nga ana tjetër zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Peter Stano bëri të ditur këtë të diel se institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit së bashku me Kosovën e Serbinë.