Gruaja shkakton masakër në shkollën fillore, vret me armë zjarri 3 fëmijë dhe 3 të rritur

Të paktën tre fëmijë dhe tre të rritur u vranë sot në një shkollë private të krishterë  në Tenesi nga një person i armatosur, i cili u vra më vonë nga policia.

Ishte ora 10:13 (koha lokale) kur policia ngriti alarmin në Covenant School pas raportimeve për të shtëna. 

Forca të forta policie rrethuan zonën dhe u kërkuan prindërve që kanë shkuar në vendngjarje, të shqetësuar për fatin e fëmijëve të tyre, të qëndrojnë në distancë të sigurt.

Policia tha se sulmi u krye nga një grua 28-vjeçare. Autoritetet më parë thanë se ajo dukej të ishte një adoleshente.

Identiteti i saj nuk është bërë ende i ditur, por mësohet se ishte e armatosur me dy pushkë sulmi dhe një pistoletë. 

Ajo u rrethua nga pesë policë dhe ra e vdekur nga të shtënat e tyre.

Në këtë shkollë private marrin mësim rreth 200 nxënës të moshës deri në 12 vjeç.

Dhjetëra sulme të armatosura u regjistruan vitin e kaluar në shkollat ​​amerikane. Në maj, një 18-vjeçar vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në një shkollë në Uvalde, Teksas.