Berisha: Shëndetësia sot si në vitet ’60, kemi 1 mjek për 1200 banorë, në 2013 kishim 1 për 600
Në Peqin ku ka prezantuar kandidatin e Primareve Mustafa Pashjen, Sali Berisha u shpreh se nga vendi ynë janë larguar 4 mijë mjekë.
Ai shtoi se në vitin 2013 raporti i mjekëve ishte 1 me 600, ndërsa Europa e kishte 1 me 300, por sot, sipas tij ka shkuar 1 me 1200 dhe theksoi se situata po përkeqësohet.
Berisha: A nuk ishte ky njeri që ju thoshte ju para dy vitesh se kemi 400 mjekë që presin për të filluar punën, në një kohë kur janë larguar 4 mijë mjekë, në një kohë kur ne jemi sot në sistemin shëndetësor, ua them me të dhënat shumë të sakta, njëlloj si në vitet ’60. Por si jemi, pse jemi. Organizimi i sistemit shëndetësor, kujdesi shëndetësor ka një tregues themelor dhe ky tregues si në Shqipëri, Europë dhe botë është numri i mjekëve për banorë. Në 2013 e kishim 1 me 600, Europa e kishte 1 me 300. Sot kemi shkuar 1 me 1200 dhe nuk dihet se ku mund të ndalemi, po rrokullisemi. Si e zgjidh ky, e zgjidh duke mashtruar.
Tani kujtohet se do të rrisë rrogat. Po 8 vite si i le shqiptarët, të zbresin, të rrokullisen nga më mirë të paguarit që ishin në 2013 në më keq të paguarit në Ballkan në vitin 2023. Çfarë ndodhi? Sot çdo rrogëtar, pensionist, merr një rrogë dhe një pension më të cilin ai blen 30% më pak se në 2013 për shkak të rritjes së çmimeve. Çfarë ndodhi? Edi Rama ngriu rrogat në mënyrën më cinike, më ç’njerëzore ai ngriu pensionet. Po ça mund të bënte ai, do thoni ju. Ai para kishte, siç kishim ne para kur dyfishuam rrogat, siç kishim ne para kur dyfishuam pensionet, siç kishim ne para kur asfaltuam 11 mijë km rrugë, e ju jeni dëshmitarë.
Ai kishte më shumë. Po pse më shumë para? Dyfishoi taksat. Po pse më shumë para? Ne rritëm borxhin me 4.4 %. E gjetëm 58.2 dhe e dorëzuam ne 62.6. Sa e rriti zotëria e tij, me 43%, nga 62.6 në 107%. Po të kthehemi në miliarda, ka marrë 5 miliardë euro borxh. Me 5 miliardë euro ai nuk kishte asnjë pengesë të rriste 6 herë rrogat. 800 mln euro është fondi i përgjithshëm i rrogave në Shqipëri. Ai nuk kishte asnjë pengesë të rriste 3 herë rrogat e 3 herë pensionet. Nuk po llogaris të ardhurat edhe ato 3-4 miliardë në vit, nga taksat e dyfishuara. Jo. Pse jo, sepse i vodhi.
