Berisha: Basha pastroi rublat ruse, Rama i mbylli dosjen për ta marrë peng
“Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje me financimet ruse, përgjegjësia është personale e Lulzim Bashës “. Komisioni i demokratëve për auditin e dosjes “Nik Muzin” , doli në këtë konkluzion ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të hetojë deri në fund çështjen. Sali Berisha, tha Lulzim Basha, duhet të ballafaqohet me faktet.
Auditi i brendshëm i demokratëve mbi akuzat për financimin e kësaj partie me para ruse, nuk ka nxjerrë fakte të reja veç atyre të prokurorisë. Konluzioni ishte i qartë.
Nuk ka asnjë rubël në faturat dhe arkën e Partisë Demokratike gjatë drejtimit nga Lulzim Basha. Ky i fundit përgjegjësinë e ka penale.
"Për 500 mijë euro që Binjata, kompani e kontrolluar nga inteligjenca ruse, i ka paguar Nik Muzinit, ato janë ose shpërblim i zbulimeve ruse personalisht për Lulzim Bashën, ose burim tjetër që është përzgjedhur një kompani e zbulimeve ruse."
Berisha ka sqaruar edhe pozicionin e kryeministrit Rama në këtë proces.
"Ai prokuror ditën e 30-të dha dorëheqjen, ditën e31-të kishte skaduar afati i dërgimit të saj në Gjykatën e Lartë. Ky është kurthi që bëri Edi Rama për të shpëtuar. Edi Rama me akuzën për pastrim parash e shpëtoi Lulzim Bashën nga 6 vite burg dhe pastaj e shëndërroi në një peng të tij."
McGonigal dhe pse nuk ishte në fokus të audit të Komisionit, sipas Berishës është epiqendra e aferës se kryeministrit Rama.
"Është përpjekja e dëshpëruar e një njeriu që ka marrë fund. Nuk ka asnjë të ardhme, e pret fati i McGonigal".
Bazuar në këtë fabul, për Berishën, Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj janë pengje të Edi Ramës, e po ashtu të dëshpëruara përpjekjet për të dalë me kandidatë rivalë përballë atyre të primareve.
"Kandidatët e Alibravës dhe Lulzimbravës janë kandidatët e Edi Ramës. Nuk kanë asnjë lidhje me PD, asnjë lidhje. Janë thjesht vegla mjerane që i përdor Lulzim Basha dhe Edi Rama kundër pluralizimit".
