Dosjet e korrupsionit, Bylykbashi te 'Ligjet': T'u hiqet mburoja funksionarëve!

Deputeti Oerd Bylykbashi prezantoi në Komision Parlamentar të Ligjeve nismen e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 18 deputetëve të tjerë opozitarë për dosjet e korrupsionit. Në draft kërkohet heqja e parashkrimit për funksionarët e lartë të shtetit.

Funksionarëve të shtetit tu hiqet “mburoja” përpara drejtësisë. Këtë ka kërkuar deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në Komisionin e Ligjeve.

Vetëm një fjali shtesë në Kodin Penal, me qëllim forcimin e ligjit për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe drejtuesve publikë.

"Përmes kësaj dispozite për një periudhë të caktuar kohore deri në 2037 askush nuk mund të fshihet pas parashkrimit të ndjekjes penale por do të jenë përgjegjës para opinionit publik dhe drejtësisë si kushdo tjetër."

Sipas Bylykbashit kjo dispozitë kërkohet në një moment kur nivelet e larta të korrupsionit janë kthyer në një alarm shqetësues edhe në raportet ndërkombëtare, referuar raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

"Nuk mundet që parashkrimit të jetë mburoja e një nga kancerave të fortë që kjo shoqëri po përjeton aktualisht. Ne gjykojmë që parlamenti përmes diskutimit, debatit dhe aprovimit të kësaj dispozite është para një testi shumë të rëndësishëm që të tregojë vullnetin për të luftuar korrupsionin duke hequr çdo lloj mburoje."

Drafti është firmosur nga një grup deputetësh opozitarë, kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe 18 deputetë të tjerë.