Van der Belle në Kuvend: Punoni në mënyrë gjithëpartiake për integrimin e vendit në BE
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Belle shprehu sot mbështetjen për procesin e integrimit europian të vendit tonë, ndërsa inkurajoi politikën shqiptare të punojë në mënyrë gjithëpartiake për të realizuar qëllimin final.
Në një fjalë adresuar Kuvendit të Shqipërisë, Van der Belle vlerësoi po ashtu edhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, që sipas tij e tregon edhe prezenca e 50 kompanive austriake në Shqipëri.
“Pas çdo aktiviteti që Austria dhe institucionet austriake zhvillojnë në Shqipëri qëndron një qëllim i madh: mbështetja e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së. Austria ka qenë dhe është një nga ato vende anëtare që e mbështesin integrimin e Shqipërisë dhe për të cilën integrimi është një çështje zemre. Pozita gjeografike është një faktor, por jo më i rëndësishmi sepse është e qartë se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës së përbashkët. Prandaj Austria ka kohë që mbështet negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
Sipas tij, mbajtja e konferencave të para të anëtarësimit dhe dhënia e statusit kandidat për Bosnje Hercegovinën dhe liberalizimi i vizave me Kosovën janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të këtyre vendeve në BE.
Van der Belle u shpreh se Austria mbështet jo vetëm intensivisht hapat që merren për t’u bërë pjesë e procesit, por këmbëngul që edhe shumë iniciativa të BE-së të jenë të hapura për qytetarët që përpara anëtarësimit.
“Kur je në proces e sipër bëhet i mundur aksesimi i këtyre programeve si Erasmus +, Horizon Europe etj, që janë programe që mbështesin shkëmbimin shkencor, apo edhe mekanizmi i mbrojtjes nga katastrofat. Të gjitha këto mekanizma tregojnë se është e mundur që tani, që qytetarët e Shqipërisë të marrin pjesë në programe të BE-së”, shtoi ai.
Sipas tij, Samiti tepër i suksesshëm i zhvilluar në Tiranë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhjetorin e kaluar, e fuqizoi edhe më tepër perspektivën europiane.
Van der Belle vlerësoi po ashtu faktin se anëtarësimi në BE mbështetet mbi mbi 90% e shqiptarëve, ndërsa shtoi se në Austri, censusit për anëtarësimin në vitin 1994 kemi pasur vetëm 2/3 e qytetarëve pro.
“Ju inkurajoj ta shfrytëzoni sa më shumë këtë pikënisje dhe të punoni në mënyrë gjithëpartiake për të realizuar qëllimin final. Të mos gënjejmë veten, procesi i anëtarësimit është tepër një proces i komplikuar politik dhe ne në Austri kemi pasur përvojën që është më mirë që qytetarët të informohen sa më parë mbi atë që pritet nga anëtarësimi, që janë gjëra të mira por dhe sfida të mëdha. Në këtë mënyrë mund të shmanget krijimi i një miti”, tha ai.
Van der Belle inkurajoi politikën shqiptare për gjetjen e kompromisit, i cili sipas tij “është zemra e një demokracie liberale”.
“Kam qenë shumë kohë deputet, për 18 vjet në parlamentin austriak dhe kam qenë deputet i një partie në opozitë. Bashkëpunimin apo mungesën e tij e kam kaluar vetë. Përpara zgjedhjeve të rëndësishme nuk është gjithmonë i lehtë kompromisi politik. Por, kompromisi është një gur themelor i demokracisë. Të gjesh një kompromis do të thotë që të dyja palët të lënë dy qëndrime të kundërta dhe të synojnë një qëndrim të ri të përbashkët. Mund ta quajnë këtë edhe një zgjidhje të përbashkët. Të mos marrin vendime të nxituara. Në gjermanisht quhet një kompromis dembel”, tha ai.
Presidenti austriak përgëzoi po ashtu Shqipërinë për kryesimin e suksesshëm të OSBE-së në vitin 2020.
“Shqipëria ka rol të rëndësishëm edhe në iniciativat e bashkëpunimit rajonal. Procesi i Berlinit këtu ka hedhur disa hapa konkret në lidhje me integrimin, konektivitetin apo shkëmbimin e të rinjve. Pas shumë viteve të humbura është esenciale që rajoni të ketë një infrastrukturë të përmirësuar”, tha ai.




