Softa 'çkodon' mesazhin e sulmit me armë ndaj Top Channel: Moszbardhja e rastit duhet të shoqërohet me dorëheqje politike

"Në këtë rast atentati nuk ka pasur objektiv një person por  një institucion. Ky është një mesazh i qartë për median".

Kështu e analizon sulmin me armë ndaj Top Channel eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Softa: Mediat në terësi janë të goditura. Kjo është shumë e rrezikshme sepse do të kërkojë ti ulë ritmin dhe të mos ekspozojë probleme të ndryshme që vijnë. Krimi, korrupsioni, pastrimi i parave. Të gjitha këto femomene për të cilat Shqipëria është vënë në shënjestër të mediave të huaja, të DASH dhe institucioneve të tjera pa përfshirë dhe politikën brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në një intervistë për Rtv Ora ai thotë se moszbulimi i këtij akti të rëndë do të duhet të shoqërohet patjetër në dorëheqje dhe shkarkime nga niveli politik te strukturat e tjera.

Softa: Nëse nuk do të ketë zbulim të kësaj ngjarje dhe nuk do të vihen para drejtësisë autorët, porositësit dhe ideatorët e këtij sulmi patjetër që duhet të çojë në dorëheqje dhe shkarkime duke filluar nga niveli politik dhe deri te strukturat e tjera. U bënë shumë raste që ndodhin të njëjtat skema. Mjete që grabiten për atentatin e radhës, kallashnikovë në këto mjete, mjete që largohen nga kryeqyteti i vendit, përshkojnë rrugë nacionale nga më të kontrolluarat që duhet të ishin, mjete që digjen. Për fat ky mjet nuk ka pasur një djegie të plotë dhe kjo mund ta ndihmojë shumë hetimin për të pasur mundësi për të shkuar te gjurmët e autorëve.Duhen kontrolluar të gjithë kamerat për të parë kronologjinë e lëvizjes së mjetit. Këndi i qitjes tregon se është qëlluar nga mjeti dhe nuk ka dalë nga makina.

Softa vë theksin te parandalimi i ngjarjeve të tilla kriminale, pasi siç thotë ai, nesër do të jetë vonë.

Softa: Krimi ka marrë hov dhe gjatë gjithë vitit po bën të njëjtën gjë. Situatat zgjedhore do të jenë gjithmonë stimuj për ta sepse policia dhe institucionet, politika dhe media janë totalisht të përqëndruara në një fushatë elektorale. Mesazhi im është se nëse nuk e ndalojmë sot këtë dorë nesër është vonë. Duhet të punohet fort në parandalim të ngjarjeve kriminale, kjo nuk bëhet as me statistika dhe as me deklarata, fillon me një punë konkrete nga lart poshtë në gjithë territorin. Gjithë shteti duhet të jetë në këmbë.