"Kisha e profetit" Objekti i kultit në Fier i ndërtuar në 1780 e u rrënua nga komunistët, u rindërtua sërish

Një Kishë ortodokse në fshatin Shtyllas të Fierit e ndërtuar në vitin 1780 u rrënua nga regjimi komunist por u ngrit përsëri nga një besimtarë musliman rreth viteve 2000. Banorët e zonës, dhe prifti thonë se objekti njihet si kisha e mrekullive, ndërsa vizitohet nga besimtarët e të gjitha feve.

Ky objekt kulti njihet si Kisha e mrekullive. Ndodhet në Shtyllas të Fierit, ndërsa njihet nga besimtarët dhe banorët e zonës si kisha e profetit Ilia.

Objekti mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1780, ndërsa kishte një arkitekturë të veçantë bizantine.

Kur komunizmi vendosi kazmat mbi objektet fetare, kjo kishë u shkatërrua me themel për ta kthyer në një hapësirë në funksion të një reparti ushtarak.

Pas viteve 90 e lënë në mëshirë të fatit kisha u rindërtua në vitin 2003 nga një banor i zonës i cili është i besimit mysliman ndërkohë që sipas tyre kjo kishë frekuentohet nga besimtarë të të gjitha besimeve e jo vetëm nga ortodoksët.

"Nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Ka qënë një godinë e rrënuar por me kalimin e viteve dhe ringjalljen e besimit ajo u rindërtua në 2003," tha ai.

Banorët e zonës kërkojnë më shumë vëmendje për promovimin e kësaj kishë mrekullibërëse pasi njihet dhe simotër e kishës së Laçit teksa njëzëri kanë kërkuar dhe rikonstruksionin e rrugës që të çon drejt objektit pasi amortizimi i saj i pengon së tepërmi besimtarët veçanërisht gjatë stinës së dimrit.