Shoferë në prag pensioni/ Urbanët qytetas në krizë për punonjës, Memaj: Duhen kushte dhe paga
Transporti publik po vuan për punonjës, më e vështirë është të gjenden shoferë, mosha mesatare e të cilëvë është 55 vjeç. Kushtet e punës por edhe paga i ka bërë që të largohen drejt vendeve europiane.
Përmbysja në mes të rrugës së autobusit të së Krrabës ishte i fundit i një serie aksidentesh në Tiranë, ku janë të përfshirë mjetet e transportit urban.
Mungesa e sigurisë, në punë dhe shoferët në moshë dhe të stresuar, janë disa nga arsyet e këtyre ngjarjeve sipas kreut të Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj.
"Kemi parë si u ndërpritet rruga, si u zihet stacioni. Të mbledhur gjithë këta faktorë ndikojnë në stresin e punonjësve të transportit publik."
Ndue Çeku që prej 7 vitesh punon si drejtues i një prej urbanëvë në kryeqytet, tregon se 6 muaj më parë ishte protagonist i një ngjarje të ngjashme.
"Autobusi i mbushur mbi 150 veta, ka ardhur tjetri me veturë dhe më ka prerë rrugën. Jam detyruar të frenoj. E kam goditur pak makinën përpara."
Ka 20 vite si shofer, por periudhën në urban e konsideron më të vështirën.
"Për një shofer që ka një profesion të tillë, sidomos në transportin publik, kjo është puna më e vështirë".
Paga dhe kushtet në punë janë arsye që bëjnë të mendojë të largohet nga vendi.
"Kam familjen, fëmijët në shkollë, kam dy pleq të vjetër në shtëpi. Kjo më ka mbajtur deri sot por po vjen dita të shohim për një jetë më të mirë."
Janë rreth 1500 vende të lira në sektorin e transportit publik, dhe ajo që vihet re është rritja e moshës mesatare të shoferëve, nga 45 në 55 vjeç aktualisht.
"Para 3-4 vitesh kishim një moshë mesatare 45 vjeç për shoferët e transportit publik aktualisht është mbi 55."
Pas disa vitesh në timon do të shihen vetëm të moshuar.
"Për 2-3 vite do të kemi pensionistë duke ecur me autobusë të transportit publik."
Për t’i nxitur të rinjtë të punojnë në këtë sektor kompanitë kanë propozuar të mbulojnë shpenzimet e patentës, megjithëse i druhen largimit të tyre në Gjermani.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
