Sulmi me armë ndaj Top Channel, Çipa: Sulm terrorist! Avokati: Asnjë tolerim ndaj autorëve
Unioni i Gazetarëve e cilësoi sulmin ndaj Top Channel si një akt kriminal të paprecedent.
Aleksandër Çipa kërkoi arrestimin sa më parë të autorëve, ndërsa thotë se është koha që nga deklaratat të kalohet në veprime konkrete.
"Është ngjarja më tronditëse në 30 vite të ndodhur në realitetin mediatik shqiptar pas ngjarjeve të dhunshme dhe kriminale të Koha Jonë në vitet '97 dhe sulmit mbi Radio Televizionit Publik.Ky është një rast i pastër terrorist dhe krimninal mbi një institucion mediatik.
Duhet të ketë kushte konkrete për hetimin, ngritjen e një strukture të posaçme, pse jo dhe të SPAK-ut për hetimin e rastit sepse mendojmë që ky është një rast që duhet hetuar nga SPAK, nga një grup ekspertësh më të mirë. Si Union i Gazetarëve Shqiptarë propozojmë të kemi reagime të fuqishme, ku përfshihet dhe protesta."
Në sulmin e fundit ndaj medias, por edhe në ngjarjen e ndodhur më parë në rrugën "Don Bosko" humbën jetën dy persona, ndaj për avokatët zgjidhje është zbatimi i ligjit pa tolerime ndaj vrasësve.
"Strukturat përkatëse të intensifikojnë veprimet hetimore për të zbardhur sa më shpejt autorët dhe arsyen që ka shtyrë autorin/ët për kryerjen e veprës penale në fjalë."
Gjendja e vështirë e medias në Shqipëri është evidentuar edhe pak ditë më par në raportin e DASH për 2022.
