VIDEO/ E frikshme në Moto GP, Pol Espargaro përplaset dhunshëm me barrierat mbrojtëse

Një aksident i frikshëm në ditën e parë të provave të sezonit në Moto GP. Një përplasje e dhunshme në sesionin e parë të provave të lira të Portimaos, tronditi gjithë ambjentin e garave të shpejtësisë mbi dy rrota. Bëhet fjalë për pilotin spanjoll, Pol Espargato. 

Fillimisht gjendja e tij ishte serioze ndërsa me kalimin e orëve situata duket më e normalizuar. Përplasja në kthesën numër 10 ka ngjallur reagimin dhe zemërimin e pilotëve, sipas të cilëve, nuk janë marrë masat e duhura të sigurisë në pistë nga organizatorët e Çmimit të Madh të Portugalisë.

Pol Espargaro u transportua në spital me helikopter dhe sipas mjekëve, ai është në gjendje të vetëdijshme dhe mund të lëvizë të gjithë gjymtyrët. Përgjegjësi i sektorit mjekësor të garave të Moto GP, bën me dije se dëmtimet më të mëdha piloti i ka pësuar në shtyllën kurrizore por edhe në mushkëri.

Dëme të rëndësishme që me siguri do ta lënë jashtë garave për disa muaj pilotin spanjoll i cili humbet sezonin pasi do të ketë një rikuperim shumë të ngadaltë.