Milan synon sulmuesin e Kombëtares Spanjolle, Atletico reflekton

Milan synon sulmuesin e Kombëtares Spanjolle, Atletico reflekton
Në Itali ka nisur merkatoja e verës. Dy skuadrat milaneze po shënjestrojnë emra pa shumë shpenzime dhe nëse Inter mund të blejë nga Chelsea, Aubameyang i cili nuk po gjen hapësira në Londër, Milani po shikon në Spanjë për një njohje të vjetër të futbollit italian.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Kombëtares Spanjolle dhe Atletico Madrid, Alvaro Morata i cili nuk po gjen hapësira te skuadra e drejtuar nga Diego Simeone. Kontrata e bomberit skadon në vitin 2024 dhe për të mos e humbur me parametra zero vitin tjetër, Atletico është e gatshme të ulet në tavolinën e bisedimeve.

Milan shpreson që Morata të pranojë ofertën e kuqezinjve ndërsa për klubin nga Madridi ka gati 15 milionë euro. Një objektiv shumë i rëndësishëm për Milanin sepse bëhet fjalë për një sulmues të pjekur dhe në kulmin e karrierës me 29 vitet që ai ka mbi supe.

Prej më shumë se 10 vitesh bomber i padiskutueshëm në të gjitha skuadrat ku ka luajtur dhe bashkë me Giroud që do të rinovojë kontratën, do të kompletonte sulmin e “djallit” pasi drejtuesit e Milanit duhet të lëvizin për t’i dhënë Piolit një emër me peshë.