Juventusi rrezikon shumë, nën hetim nga UEFA për thyerjen e rregullave të fair play financiar

Lajmi ishte në ajër por tashmë gjen edhe konfirmim zyrtar. Juventus është nën hetim nga UEFA dhe ky konfirmim është i qartë në raportin e gjysmës së sezonit në bilancin e klubit bardhezi.

Institucioni më qëndër në Nyon është bazuar në hetimet e prokurorisë së Torinos në lidhje me çështjen e plusvalencave, duke dyshuar se Juventus ka shkelur edhe rregullat e fair play financiar, çka mund të pasohet nga një dënim shembullor për bardhezinjtë pas shuplakës që ata morën nga drejtësia italiane që u hoqi 15 pikë nga renditja aktuale e Serie A.

Sipas dokumentit të publikuar nga vetë klubi torinez, hetimi ka nisur në datën 1 dhjetor, ndërsa Juventusi ka bashkëpunuar duke dorëzuar në UEFA të gjitha dokumentat e kërkuar për të thelluar hetimin.

Pas largimit të presidentit Agnelli dhe të gjithë zinxhirit drejtues të klubit, tashmë Juventusi ka një bord dhe president të ri por është ende në pritje të vendimit të drejtësisë sportive që mund të zbresë pikë të tjera nga ky sezon i bardhezinjve të cilët mund të rrezikojnë edhe rrëzimin një kategori më poshtë.