Rama për Sky News: Të mbyllësh kufijtë nuk është më e mira për ekonominë britanike
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Londra se duhet të ketë një sistem vizash që u jep njerëzve mundësi të aplikojnë rregullisht pa kaluar Kanalin, që të vijnë këtu të punojnë e të ofrojnë aftësitë e tyre.
Në një intervistë në studion e “Sky News Breakfast” në Londër, Rama u shpreh se “emigracioni është një prirje në të gjitha vendet që kanë dalë nga koha e errët e komunizmit dhe që po përpiqen të arrijnë atë çfarë ka qenë pika jonë e horizontit, duke parë nga vendet e zhvilluara”.
“Nuk mund t’i ndalosh të rinjtë të ëndërrojnë dhe të shpresojnë, sepse, po, Shqipëria është një rast, por ka edhe raste të tjera, si për shembull, Kroacia. Sot, Kroacia është plotësisht e integruar në Bashkimin Europian. Është një vend që ka bërë përparim shumë të madh dhe, prapë, ka kaq shumë kroatë, profesionistë, të rinj, që shkojnë drejt Irlandës apo që lëvizin drejt Gjermanisë, sepse duan të marrin një gjë më shumë dhe e duan tani. Kështu, kjo është diçka që lidhet edhe me faktin që, të gjithë e dinë dhe këta të rinj që vijnë nga Shqipëria e dinë se në Britani ka shumë nevojë për punonjës ndërtimi, ka shumë nevojë për drejtues taksish, për drejtues kamioni, për infermierë, ndaj ka lidhje edhe me këtë”, tha ai.
Rama shtoi se “nuk jam këtu të vë në diskutim sovranitetin dhe mandatin e qeverisë britanike për të pasur një politikë për kufijtë dhe për të zgjedhur të jetë e mbyllur ndaj flukseve që mësyjnë drejt Britanisë për një vend pune, por gjithçka ka lidhje pikërisht me këtë”.
“Ka lidhje me motivet ekonomike, me ardhjen, gjetjen e një pune dhe ndërtimin e një të ardhmeje në një vend që ka qenë gjithnjë qyteti i praruar mbi kodër”, shtoi ai. Rama tha se shqiptarët kërkojnë azil, sepse nuk ka rrugë tjetër.
“Ata nuk janë pjesë e tregut të lirë të punës, që, për shembull, nuk është rasti i kroatëve, nuk është rasti i rumunëve, i bullgarëve e kështu me radhë. Nga ana tjetër, për shkak të Brexit-it, ju e dini, kanë ndodhur disa probleme, ju keni humbur shumë krah pune nga këto vende, kështu që e gjitha ka të bëjë me ëndrrat dhe shpresat për të marrë atë që imagjinojnë se është më e mira për jetën e tyre tani, pa pritur shumë vite që kjo të realizohet në Shqipëri”, theksoi ai.
Kryeministri theksoi se kemi pasur një rritje të shifrave të azilantëve në vitin 2015, kur Europa u godit nga kriza e madhe e refugjatëve.
