Të jetosh mes ujërave të zeza/ Banorët e dy lagjeve në Gjirokastër të shqetësuar për situatën: Bashkia s’e vë ujin në zjarr

Jetesa në dy lagje të Gjirokastrës është bërë e vështirë për banorët. ujërat e zeza në lagjet “11 Janari” dhe “Blloku i Furrave”  janë shqetësimi kryesor i banorëve. Ata shprehen se këto ujëra dalin gjatë gjithë kohës në rrugë, ndërsa për problemin thonë se bashkia nuk ka marrë asnjë masë.

Këto pamje vijnë nga Gjirokastra!

Banorët e lagjeve “11 Janari” dhe “Blloku i Furrave” thonë se jetesa është bërë e vështirë për shkak të ndotjes.

Derdhja e ujërave të zeza “në mes të rrugës” në çdo kohë, sipas tyre, është bërë e padurueshme!

“Jetohet këtu?! Sihe pallatin si është bërë. As kujtohet njeri për të rregulluar dhe ku shkon ky ujë, i shkelin me këmbë të tëra këto ujëra të zeza që dalin nga pallati. Kjo situatë ka 2 muaj”, tha banorja.

Prej më shumë se dy muajsh shqetësimin ia kanë përcjellë bashkisë, por deri më sot askush s’ka ndërhyrë.

“I kemi njoftuar dhe as e kanë vënë ujin në zjarr. As e çajnë kokën fare”, thotë ajo e revoltuar.

E njëjta situatë paraqitet edhe në përroin që përshkuan lagjen “Blloku i Furrave”, ku ujërat e zeza të banesave private derdhen pa kriter në përrua.