Më i hershmi në Evropë/ Zbulime të rëndësishme në vendbanimin me palafit në Lin të Pogradecit

Vendbanimi me palafit në Lin të Pogradecit mund të jetë më i madhi dhe më i vjetri në Evropë. Këtë pritet të vërtetojnë gjetjet e arkeologëve në këtë sitë gjatë vitit të shkuar.

Vendbanimi më i hershëm dhe më i madh me palafit në Evropë mund të ndodhet në Shqipëri, më konkretisht në Lin të Pogradecit.

Gjatë vitit të shkuar arkeologë shqiptarë dhe të huaj kanë bërë zbulime të rëndësishme që mund të vërtetojnë këtë tezë.

Arkeologu Adrian Anastasi tregon disa prej gjetjeve në këtë sit të emërtuar si Lin 3 e që mendohet se daton gati 5 mijë vite para Krishtit.

Adrian Anastasi, Arkeolog: Ne arritëm që të identifikonim sondazhin 1, 2, pra në atë të pjesës juglindore, një mjet lundrimi i cili njihet si “Pirroll”, të cilat bëheshin në atë kohë me trungje të pemëve. Jemi duke folur ndoshta jo i vetmi, por një nga mjetet lundruese të rralla në Evropë. Në gërmimet që bëmë në verilindje, rezultatet ishin shumë të mira, ndoshta për arsyen se arritëm të kapnim shtresën kulturore të kapnim elementë palafit.

Vendbanimet palafite janë struktura të ngritura mbi grumbuj shtyllash zakonisht prej druri në sipërfaqe kryesisht të mbuluara nga uji. Profesor Anastasi thotë se puna në Lin do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.

Adrian Anastasi, Arkeolog: Ndoshta është vendbanimi më i vjetër në Evropë që ne njohim deri më tani.

Përveç Linit kërkime ka pasur edhe në shumë zona të tjera të vendit. Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë Belisa Muka zbulon disa prej gjetjeve.

Belisa Muka, Drejtoreshë e Institutit të Arkeologjisë: Rezultatet janë të organizuara në 3 periudha kryessore që mbulojnë kërkimet tona duke nisur nga Prehistoria. Ndërkohë që kërkimet vijojnë në fushën e Antikitetit në qendra të rëndësishme si Apollonia, Durrësi, Butrinti, Finiqi, Shkodra, apo Antikiteti i mëvonshëm dhe Mesjeta përsëri në të njëjtat qytete. Arkeologjia është një nga fushat që i qëndron fort identitetit kombëtar, kështu që çdo lloj mbështetjeje duhet të gjithnjë edhe më e madhe. 

Puna kërkimore në terren këtë vit do të nisë rreth muajt Maj dhe ashtu si vitin e shkuar pritet të jenë gati 30 projekte arkeologjike të shtrira në të gjithë Shqipërinë.