Ministri i Jashtëm i Vatikanit, Imzot Paul Richard Gallagher, të dielën viziton Rrëshenin
Dioqeza e Rrëshenit njofton se të dielën, me datë 19 mars 2023, Rrëshenin do ta vizitojë Shkëlqesia e Tij, Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizmat Ndërkombëtar.
“Jeni të ftuar të na bashkoheni me gjithë familjet dhe miqtë tuaj, që ta mirëpresim Shkëlqesinë e Tij në Mirditën tonë të dashur, të shumtë e me gëzim në zemër, si shenjë e besimit tonë dhe e lidhjes së fortë që Mirdita ka pasur gjithmonë me Selinë e Shenjtë.
Pritja e Ministrit të Jashtëm të Vatikanit, Imzot Gallagher-it, do të bëhet në orën 10:30 në sheshin "Marie Tuci" para Katedrales së Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës”. Mandej, në orën 11:00 do të kremtohet Mesha e Shenjtë, të cilën do ta udhëheqë Shkëlqesia e Tij, Imzot Paul R. Gallagher”, njofton Dioqeza Rrëshen.

