Berisha për padrejtësinë: Krimi nuk luftohet me “kokat hëngshin”, po vriten njerëz të pafajshëm
Për ish-kryeministrin, Sali Berisha, shteti nuk lufton krimin, por ecën me teorinë “kokat hëngshin”, që sipas tij po merr jetë njerëzish. Teksa ripërsëriti thirrjen për heqjen e parashkrimit për kryeministrat dhe ministrat për efekte të korrupsionit, jashtë Kuvendit ai deklaroi se fundi i Edi Ramës është afër, pasi çdo ditë po dalin të dhëna nga çështja McGonigal.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit ka ribërë thirrje për amendamentin për heqjen e parashkrimit për kryeministrat dhe ministrat për efekte të korrupsionit, duke akuzuar se është bllokuar nga qeveria për shkak se kanë vjedhur.
Berisha: Prej 9 muajsh kam dorëzuar në parlament amendamentin për heqjen e parashkrimit për kryeministrat dhe ministrat për efekte të korrupsionit. Edi Rama e bllokon se ka vjedhur.
Akuza për drejtësinë Berisha pati edhe pas ngjarje së "Don Boskos", ku sipas tij shteti nuk lufton krimin, por ecën me teorinë kokat hëngshin, që po merr jetë njerëzish të pafajshëm.
Berisha: I hanë kokën njëri-tjetrit. Në këtë platformë vrasës të tjerë shkrehen në breshëri dhe vranë një nënë në banak, plagosen 5 të tjerë ulur në tavolinë se kjo është platforma e Edi Ramës.
Këto deklarata sollën edhe reagimin e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Manja: Kur etiketon dikë kriminel, raporti është me drejtësinë. Unë kam qenë dhe jam gati të dal para drejtësisë.
Jashtë kuvendit Berisha deklaroi se Manja ndihet krenar për krimin që ka kryer.
Berisha: Ulsi Manja, krimineli elektoral, u ngrit dhe deklaroi se është krenar për krimin që ka kryer.
Duke u ndalur edhe njëherë tek lidhjet me ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal, sipas Berishës çdo ditë po dalin të dhëna të cilat e fundosin kryeministrin Edi Rama.
