Mure të çara, 3 vjet pas tërmetit, i moshuari nga Laçi kërkon riparimin e dëmeve
Kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit të vitit 2019, dhe pasojat e lëkundjeve ende janë prezente në pjesë të ndryshme të vendit! Në Laç, një i moshuar thotë se në banesën e tij shteti nuk ka vënë dorë ndërsa çarjet e murit janë të qarta. Bashkia nga ana tjetër tha e i moshuari ka ndërhyrë vetë, gjë e cila nuk lejohet!
Kjo është gjendja apartamentit të Vlash Mrrukut në qytetin e Laçit.
Banesa e tij u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të dhe tre vite më pas asgjë nuk ka ndryshuar.
“Deri këtu ku është bërë plasaritja dhe deri në cep këtu, nuk kanë vendsour as rrjetë hekuri me pretendimin se punëtori i bëri punimet pa leje.”
Pallati ku jeton i moshuari po restaurohet, por apartamenti i tij nuk është përfshire në programin e rindërtimit.
Në këto kushte Vllash Mrruku thotë se nuk ka mundësi financiare për t’i riparuar dëmet e tërmetit dhe kërkon mbështetjen e shtetit.
“Nga kryetarja e bashkisë nuk kam përgjigje, kam kërkuar për takim, por nuk pret.”
Restaurimi i pallatit ku banon Vlash Mrruku është pjesë e procesit të rindërtimit në qytetin e Laçit, i godituri nga lëkundjet e tërmetit të tre viteve më parë.
Ndërkohë nga ana e bashkisë Kurbin bëhet me dije se prona për të cilën pretendon kryefamiljari Vlash Mrruku është dyqan për të cilën edhe vetë ai ka bërë ndërhyrje, pa u konsultuar as me përfaqësuesit e firmës dhe as të bashkisë.
