Burgosja e gruas me foshnjen 8 ditëshe, Trenova: Rast fatkeq, prokuroria të kërkojë shtyrjen e ekzekutimit

Naim Bahçja nga fshati Drisht i Postribës në Shkodër prej një jave po kujdeset për fëmijën e tij të porsalindur.

Bashkëshortja e Naimit, 25 vjeçarja Diana Bahçja është arrestuar nga policia duke e shkëputur nga djali i saj vetëm 8 ditësh, pasi gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë në vitin 2020 prej 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetër, duke ia konvertuar një javë më parë, në 50 ditë burg.

Juristi, Gentian Trenova, i ftuar në "Ora e Betit" thotë se Prokuroria duhet të marra masa emergjente që të kërkojë shtyrjen e ekzekutimit.

"Është një rast fatkeq për personin që është futur në burg. Prokuroia në këtë rast duhet të marrë masa emergjente që të kërkojë shtyrjen e ekzekutimit. Ndoshta nuk kanë pasur informacionin e duhur kur është bërë konvertimi i dënimit nga dënimi me gjobë në burgim. Është dhe një mungesë vëmendje nga ana e prokurorisë dhe gjykatës që kur merr një vendim nuk merr informacionet e plota për personin ndaj të cilit merret vendimi".