Diplomati me uniformë të gjelbër/ Kapiten Hekuran Budani rrëfen sprovat përballë talibanëve dhe tërmetit

Hekuran Budani mban veshur uniformën e ushtrisë prej 14 vitesh. Shërbimin më emocionues e konsideron tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri, ndërsa më të rrezikshmin atë në Afganistan.

Prej 14 vitesh, kapiten Hekuran Budani mban veshur uniformën e gjelbër. 

Ishte 18 vjeç kur u bë skënderbegas , ndërsa shumë të tjerë i shmangeshin shërbimit ushtarak të detyrueshëm, duke nisur studimet universitare.

Në atë kohë në Shqipëri po diskutohej hyrja në NATO. 

"Diploma ishte e dyfishtë. Ti merrje një diplomë në administrim biznesi dhe titulloheshe dhe oficer. Ishte para anëtarësimit në NATO në 2008".

Nuk harron emocionet e misionit të parë dhe ndrojtjes se mos thyente rregullat.

Megjithatë një nga misionet që do të mbajë mend është ai i tërmetit të nëntorit në Thumanë.

"Ajo që mbaj mend gjatë ishte dita kur ndodhi tërmeti në 26 nëntor të 2019 kur mu desh bashkë me njësinë të shkoja në drejtim të Thumanës."

Në 2018  ishte përballë artilerisë se talibanëve në Afganistan.

"Kishte goditje nga jashtë nga talibanët. Duhet të mbroje veten por edhe pjesën tjetër të efektivëve."

Kur vdekja i kalonte para syve, pyeste veten nëse ja vlejti uniforma.

"Të vjen në mend familja, sfidat dhe bën peshimet e fundit ja vlen apo jo. Sot e them me plot gojën se investimi im në Forcat e Armatosura ja ka vlejtur".

Në pikën e rekrutimit për ushtarë, interesi është i konsiderueshëm ndërsa në universitet aktualisht studiojnë mbi 200 të rinj.

"Nis me një karrierë të sigurt dhe një ambjent dinamik social, të ofron të lëvizësh jashtë vendit."

Aplikimi për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura për personat 18-27 vjeç do të jetë i hapur deri në 23 mars.

Te kriteret e pranimit veç moshës është edhe gjatësia mbi 160 cm dhe të ketë minimalisht arsim 9-vjeçar.