Dyfishohen përdoruesit e drogës/ Korreshi: Pandemia ndikoi, mosha e përdoruesve është ulur
Izolimi nga pandemia ishte një nga shaktarët e dyfishimit të numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike në vendin tonë. Punonjësit social që kujdesen me rehabilitimin e tyre, thonë se vihet re një ulje e numrit të përdoruesve dhe shtim i vajzave të varura nga këto substanca.
Numri i përdoruesve të lëndëve narkotike është thuajse i dyfishuar në vitet e fundit.
Oltion Korreshi, punonjësi social i shoqatës “Aksion Plus”, thotë se izolimi në kohën e pandemisë covid 19 kanë ndikuar negativisht në këtë situatë duke shaktuar shtim të qytetarëve që konsumojnë substanca narkotike.
“Sidomos pas pjesës së mbylljes nga covid-i, duhet thënë që janë rritur me rreth 50 për qind rastet. Kemi pasu 700-750 përdorues, tashmë flasim për afro 1200 përdorues në të gjithë vendin”, tha ai.

Fatkeëqsisht mosha e përdoruesve është ulur, thonë Oltion Korreshi, ndërsa nuk mungojnë as gratë e varuara nga këto substanca.
“Neve e dimë që është ulur mjaft mosha e të rinjve, apo adoleshentëve eksperimentues. Nuk po flasim këtu vetëm për drogërat e lehta, apo marjuanën apo kanabisin, por po flasim për eksperimentues edhe me drogërat e forta, fatkeqësisht, heroinë apo kokainë”, u shpreh Korreshi.
Në Tiranë janë më të shpeshta rastet, e më pas vjen Durrësi. Viktimat e kësaj varësie kryesisht vijnë nga një shtresë ekonomike e ulët ose mesatare.
“Për nivelin ekonomik, duhet thënë që është mesatar dhe i ulët. Është për të ardhur keq, sepse edhe individët që vijnë nga familjet me begraund goxha të ngritur, përsëri janë ata që i kanë shembur ura e bashkëpunimit, bashkëveprimit, të ndihmës me familjet e tyre”, theksoi Korreshi.
Fatkeqësisht rehabilitimi nuk ka mjaftuar në cdo rast, pasi disa i janë kthyer vesit të vjetër.
“Edhe individët që shkojnë dhe arrijnë atë euforinë që “ia dola”, por pa u qetësuar vetvetiu, ka plot që rikthehen më pas, fatkeqësisht na duhet ta themi dhe këtë”, thotë Korreshi.
Përgjithësisht, thonë ekspertët, janë grupet shoqërore shtysa e parë drejt përdorimit të lëndëve narkotike, ndaj kërkohet më shumë bashkëpunim me institucionet për parandalimin, apo edhe identifikimin e atyre që bien pre.


