“Info”/ Arsenal armësh në shtëpi, prangoset 31-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit bën me dije ka vënë në pranga një 31-vjeçar, i cili mbante të fshehur në banesën e tij një arsenal armësh.

Policia thotë se në kuadër të këtij operacioni ka sekuestruar një automatik i modelit kallashnikov, fishekë dhe kapsolla detonatore.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të mbajtjes pa leje, në banesë, të një arme zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Info”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. Gj., 31 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 31-vjeçarit, në fshatin Ishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura një armë zjarri kallashnikov, fishekë luftarak dhe 54 kapsolla detonatore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.