Papa: Kisha nuk mund të fshehë tragjedinë e abuzimit

Për Papa Françeskun “Kisha nuk mund të përpiqet të fshehë tragjedinë e abuzimit, të çdo lloji. Dhe nuk mjafton të kërkosh falje”. Në një videomesazh, Papa i drejtoi lutjet "për ata që vuajnë për shkak të së keqes së marrë nga anëtarët e komunitetit kishtar, në mënyrë që ata të gjejnë te vetë Kisha një përgjigje konkrete ndaj dhimbjes dhe vuajtjes së tyre”.

"Kisha nuk mund të përpiqet të fshehë tragjedinë e abuzimit, të çfarëdo lloji qoftë."

Kështu deklarobn Ati i Shenjtë në videon e lutjes për muajin mars të publikuar përmes Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës me temën "Për viktimat e abuzimit".

“Të lutemi për ata që vuajnë nga e keqja e marrë nga anëtarët e bashkësisë kishtare: që ata të gjejnë te vetë Kisha një përgjigje konkrete ndaj dhimbjes dhe vuajtjes së tyre”, është apeli i Françeskut.

"Kur përballemi me abuzime, veçanërisht ato të kryera nga anëtarët e Kishës, nuk mjafton të kërkosh falje. Të kërkosh falje është e nevojshme, por nuk mjafton" thotë Papa në videon në të cilën na fton të lutemi për viktimat.

"Të kërkosh falje - shpjegon Papa Françesku - është një gjë e mirë ndaj viktimave, por ata janë ata që duhet të jenë "në qendër" të gjithçkaje. Dhimbja dhe dëmtimi i tyre psikologjik mund të fillojnë të shërohen nëse gjejnë përgjigje, veprime konkrete, për të riparuar tmerret që kanë pësuar dhe për të parandaluar që ato të përsëriten”.

"Kisha nuk mund të përpiqet të fshehë tragjedinë e abuzimit, çfarëdo lloji qoftë. Abuzimet në familje, në klube, në institucione të tjera nuk duhet të fshihen. Kisha duhet të jetë shembull për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre dhe për t'i sjellë ato në dritë, në shoqëri dhe në familje. Është Kisha ajo që duhet të ofrojë hapësira të sigurta për të dëgjuar viktimat, për t'i shoqëruar psikologjikisht dhe për t'i mbrojtur”, përfundon Papa Françesku.