Qytetarët ankohen për ujin në takimin me Belind Këlliçin: Uji nuk pihet, por faturat rriten

Në takimin e radhës me qytetarët e tiranës, kandidati demokrat për kryebashkiak Belind Këlliçi dëgjoi shqetësimet për furnizimin me ujë. Qytetarët thanë se faturat janë rritur ndjeshëm vitet e fundit ndërkohë që uji që shkon në banesat e tyre nuk është i pijshëm.

Mungesa e ujit të pijshëm dhe faturat e larta, ishin disa nga ankesat që qytetarët i shprehën kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi. Banorët thanë se edhe pse taksat i paguajnë regullisht, uji nuk është i pijshëm.

"Ne po paguajmë shumë shtrenjtë ujin. Por në rrubinet nuk ka ujë të pijshëm. Ne po e paguajmë dyfish, sepse po blejmë dhe ujë të pijshëm. Ti ujë të pijshëm nuk më bie, po taksën ma merr," tha një banor.

Një tjetër qytetar thotë se kostoja e ujit rritet edhe për shkak të energjisë së harxhuar nga pompat. Ndërsa një tjetër banor thekson se nga mungesa e depozitës, ujin e pret të vijë dy herë në ditë nga një orë.

"Uji nuk shkon në shtëpi, shkon me pompë. Kjo ka kosto.

S'kemi as depozita, vjen uji dy herë në ditë, nga një orë," thanë banorët.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi është shprehur se së shpejti do të paraqesë programin e tij me qëllimin e vetëm, ofrimin e shërbimit të vërtetë ndaj qytetarëve.