Më 3 mars vendimi nëse Eva Kaili do të qëndrojë në paraburgim

Kanë përfunduar në Gjykatën e Apelit të Brukselit seancat me dyer të mbyllura të Eva Kailis dhe Mark Tarabellas, pas ankimimit të tyre.

Avokati i Kailit, Michalis Dimitrakopoulos, në një deklaratë për gazetarët tha se vendimi për zonjën Kaili pritet më 3 mars.

“Vendimi do të dalë më 3 mars dhe ne nuk duam që deklaratat tona të ndikojnë negativisht në vendim. I thamë të gjitha argumentet ligjore dhe faktike”, tha avokati i zonjës Kaili, duke theksuar se procedura e sotme zgjati një orë e gjysmë.

Trupa e paraburgimit më 16 shkurt vendosi të zgjasë me dy muaj paraburgimin Eva Kailit dhe një muaj për Tarabellën, por të dy e apeluan këtë vendim. 

Kaili u shkarkua më 13 dhjetor nga posti i  zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian për akuzat për korrupsion. 

Eurodeputetja greke dhe tre të dyshuar të tjerë u arrestuan nga policia belge si pjesë e një hetimi për korrupsion dhe pastrim parash.