Rusia, një vit nga zgjedhjet/ Kremlini: Ende herët për të deklaruar nëse Putin do të garojë

Zgjedhjet presidenciale në Rusi po afrojnë por Kremlini ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse do të kandidojë për një mandat tjetër. Zëdhënësi Dimitri Peskov është shprehur se presidenti rus është i fokusuar në angazhimet aktuale ndërkohë që është herët për të folur për kandidimin

Një vit para zgjedhjeve presidenciale, situata në Rusi vijon të mbetet e ndërlikuar për shkak të luftës së nisur prej saj në Ukrainë por edhe sanksioneve të forta të vendosura nga Perëndimi të cilat kanë dobësuar ekonominë e vendit.

Por Presidenti, Vladimir Putin, nuk ka vendosur ende nëse do të garojë sërish në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në vitin 2024, siç bëri me dije zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai ka thënë për mediat në Rusi se Putin nuk është në atmosferë fushate, pasi aktualisht është shumë i zënë.

“Nuk e kemi dëgjuar duke thënë diçka, nëse do të garojë apo jo. Kjo do të thotë se është ende herët”, deklaroi ai.

Putin - i cili ka dhënë urdhrin për nisjen e luftës në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar - ka qenë president i Rusisë në periudhën 2000-2008 dhe është rikthyer sërish në këtë post me fuqi kushtetuese edhe më të forta që prej vitit 2012.

Për shkak të ndryshimit të Kushtetutës së Rusisë, atij do t’i jepet mundësia për të garuar edhe për një tjetër mandate, ndërsa në të kaluarën, Putin e ka bërë të ditur kandidim pak para zgjedhjeve, ndonëse është ditur edhe publikisht se e synon pushtetin në cdo kohë.