Ballë për ballë dhe me “Plan B”, Kurti: Propozimi europian nuk u negociua, i gatshëm nga Aleatët

Albin Kurti u thirr në parlament këtë të enjte për të dhënë sqarime mbi bisedimet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Ai tha se Plani Franko-Gjerman nuk është produkt i negociatave, por është hartuar vetëm nga Aleatët e Kosovës.

Ndërsa po bëhen gati për takimin e së hënës në Bruksel, Kurti e Vuçiç përpiqen të qetësojnë politikën vendase për kompromiset e mundshme.

Kryeministrit të Kosovës  iu desh të qartesojë edhe njëherë para parlamentit në Kosovë,  planin europian mbi bazën e të cilit do të dialogojë me Vuçiçin.

“Pra, nuk është se ne kemi negociuar dhe është sjellë propozimi. Propozimi shumë më shumë ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Pra, propozimi nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve”, u shpreh kryeministri kosovar.

Albin Kurti u tha ligjvënësve se aleatët e Kosovës e kanë hartuar planin si një pako që do të avancojë integrimin e vendit  bashkë me njohjen de-facto përmes marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si shtete të pavarura.

Ndërkohë, në shtetin fqinj, presidenti serb, po paralajmëron ndërmjetësit europianë se nuk do të kapërcejë vijat e kuqe përballë “netëve të vështira”, siç i quajti ai bisedimet.

Palët u detyruan të rikthehen në tryezën e dialogut, pasi u paralajmëruan me pasoja të rënda nga SHBA dhe BE.

Megjithatë, nuk ka sinjale për marrëveshje pasi, Kosova kërkon njohje reciproke, dhe Serbia nga ana tjetër luan me termin e kompromisit, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.